Shqip
Të përballur me shkallën e pazakontë të krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe të vetëdijshëm për pasojat e thella ekonomike, sociale dhe politike që kjo krizë do t’i bartë te shoqëritë tona, ne sjellim këtë
DEKLARATË MBI SOLIDARITETIN RAJONAL
Për shumicën e popullatës së shteteve që lindën nga shpërbërja e Jugosllavisë, tridhjetë vitet e fundit kanë qenë të përshkruara me konflikte nacionaliste, vuajtje masive, varfërim të përgjithshëm, privatizim të të mirave shoqërore dhe publike, masa shtrënguese, si dhe me armiqësi dhe konkurrencë të ndërsjellë. Futja e marrëdhënieve kapitaliste solli deindustrializimin, thellimin e pabarazisë mes klasave, emigracionin dhe shpopullimin. I goditur nga politikat neoliberale ishte edhe shëndeti publik, i cili pësoi me rrënimin e standardeve të mbrojtjes shëndetësore dhe infrastrukturës, rritjen shpenzimeve personale të kurimit, shtimin e numrit të rasteve me fatalitet dhe në fund, emigrimin masiv të punonjësve shëndetësorë.
Edhe pse tash e tri dekada nuk jemi pjesë e kornizës së përbashkët shtetërore, shoqëritë tona i kanë të përbashkëta një numër të madh të problemeve sociale dhe ekonomike. Pandemia COVID-19, si dhe masat për eliminimin e saj, vetëm sa i kanë përshpejtuar proceset tashmë ekzistuese. Pandemia do të përmbyllet, por shoqëritë tona nuk do të jenë më të njëjta. Depresioni ekonomik global na i paraqet dy mundësi para nesh: ose do ta vëzhgojmë në mënyrë pasive rënien e mëtejme të standardeve të jetesës e kushteve të punës, bashkë me varësinë e ekonomive tona nga tajkunët e brendshëm dhe kapitali i huaj, të interesuar ekskluzivisht për nxjerrjen e përfitimeve; ose do të luftojmë në mënyrë aktive për nevojat themelore të numrit më të madh të njerëzve. Kjo luftë nuk është e mundur pa përpjekje të përbashkët dhe solidaritet rajonal.
Solidariteti rajonal të cilën e përfaqësojmë bazohet në:
- drejtësi sociale dhe barazi
- barazi gjinore dhe seksuale
- barazi kombëtare dhe etnike
- ruajtje të mjedisit të përbashkët jetësor dhe burimeve të tij
- antifashizëm
- bashkëpunim dhe paqe
- empati dhe ndihmë të ndërsjellë.
Të udhëhequr nga këto parime, ne, nënshkruesit e kësaj Deklarate, marrim përsipër që brenda shoqërive tona, si dhe në nivel rajonal, të luftojmë :
kundër
- rrënimit dhe shpërfilljes të të mirave publike dhe atyre të përbashkëta, si dhe shkeljes së interesit të përgjithshëm shoqëror
- privatizimeve, margjinalizimit dhe komercializimit të shëndetësisë, të shkollimit, të arsimit të lartë dhe të kërkimeve shkencore
- stërshitjes së burimeve natyrore, infrastrukturës strategjike, rrjetit të transportit, sektorit të energjisë, hapësirës publike urbane dhe tokës bujqësore
- robërisë kreditore, si të vendeve tona, ashtu edhe të banorëve të tyre
- nxitjes së konflikteve, urrejtjes ndërnacionale dhe rrezikimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore
- militarizimit dhe armatosjes
- diskriminimit mbi baza gjinore, seksuale, etnike, racore ose fetare
- ksenofobisë ndaj njerëzve në lëvizje, refugjatëve dhe migrantëve
- mbylljes së kufijve dhe ngritjes së mureve e telave me gjemba
- revizionizmit historik dhe afirmimit publik të forcave të mposhtura fashiste dhe naziste, si dhe të bashkëpunëtorëve të tyre
- minimizimit, relativizimit dhe glorifikimit të krimeve të dëshmuara masive, të kryera kundër popullatës civile.
Në rezistencë ndaj politikave dhe ideve të lartëpërmendura, ne angazhohemi
për
- ndihmë të ndërsjellë në raste krizash ekonomike, katastrofave natyrore dhe gjendjeve të jashtëzakonshme, të cilat rrezikojnë popullatën
- rimëkëmbjen dhe zhvillimin e shëndetit publik si prioritet shoqëror, i cili nënkupton se secili person, pavarësisht shtetësisë, ka qasje të papenguar dhe pa pagesë në mbrojtje cilësore shëndetësore
- rimëkëmbjen e resurseve ekonomike dhe industriale në pronësi publike, jetike për mbijetesën dhe përparimin shoqëror, prej bujqësisë, reparteve farmaceutike dhe mjekësore, minierave, industrisë së ndërtimit, anijendërtimit e deri teknologjisë digjitale
- mbrojtjen e resurseve natyrore dhe mjedisore, si dhe investim në burime të ripërtërirshme të energjisë në pronësi publike
- përtërirjen dhe përmirësimin e infrastrukturës rajonale të transportit
- bashkëpunim intensiv akademik, nga programet universitare deri te kërkimet shkencore, si dhe bashkimin e kapaciteteve kërkimore dhe shkëmbimit të kuadrove
- legjislacion dhe kushte të punës, që mbrojnë punëtorët dhe jo profitin
- demokratizim shoqëror, ekonomik dhe politik, përmes modeleve të pjesëmarrjes dhe vendimmarrjes së përbashkët
- rregullim me ligj të pronësisë shoqërore, si dhe zhvillim të kooperativave vetëqeverisëse
- liri të lëvizjes, banimit, studimit dhe themelimit të marrëdhënies së punës brenda vendeve të rajonit
- bashkëpunim rajonal për çështjen e refugjatëve dhe migrantëve, të drejtën për azil dhe të drejtës për strehim
- të gjitha nismat, qofshin ato zyrtare ose spontane, për ndërlidhje, bashkëpunim, paqe, dhe respekt të ndërsjellë mes shteteve që u krijuan pas shpërbërjes së Jugosllavisë, përshirë ato me shtetet e tyre fqinje.
Nismëtarët e Deklaratës mbi solidaritetin rajonal:
Unioni Socialdemokrat, Serbi
E majta, Slloveni
Fronti punëtor, Kroaci
E majta e re, Kroaci